Veliaj: Rama ka urdhëruar izolimin tim dhe më kërkoi të pranoj lidhjen me protestat
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, publikoi një letër me dorën e tij për takimin me ministrin Toni Gogu, ku mohon çdo lidhje me protestat studentore dhe i kërkon Edi Ramës prova.
Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës që ndodhet në burg, ka publikuar një letër të shkruar me dorën e tij, në të cilën përshkruan atë që pretendon se i ka thënë ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një takimi. Në deklaratën që e shoqëron letrën, ai mohon çdo përfshirje në organizimin ose financimin e protestave studentore.
Veliaj i kërkon kryeministrit Edi Rama të nxjerrë prova për këto aludime dhe thotë se nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij. “Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim”, shkruan ai. Më tej shton: “Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”.
Aludimet se ka organizuar ose financuar protestat ai i cilëson “haluçinacione bolshevike” dhe thotë se e gjithë e vërteta e takimit me Gogun gjendet në letrën e publikuar.
Sipas shënimeve të Veliajt, takimi u zhvillua të premten në orën 22:30, pasi Gogu u paraqit për takim pas 20 muajsh. Në letër, kryeministri përmendet me inicialin “R”, ndërsa ministri me “TG”. Veliaj pretendon se Gogu i ka thënë që Rama ka qenë personalisht i përfshirë në transferimin e tij, në izolimin në burg dhe në çështje si lejet për spital, takimet dhe kontaktet me miqtë e familjen.
Sipas tij, kryeministri e ka anashkaluar ministrin e Drejtësisë dhe ka vendosur tri kërkesa ndaj tij. E para ishte të pranonte përfshirjen në çështjen “Flamingot – Studentët”, përndryshe do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues” dhe do të përballej me 100 vjet burg në burgjet 313 dhe 302.
Kërkesa e dytë, sipas letrës, ishte të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte pushtetin Arbër Hajdarit. E treta ishte të mos këshillohej më me avokatin Plarent Ndreca.
Në fund, Veliaj i drejtohet kryeministrit: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”. Publikimi e thellon përplasjen mes tij dhe Ramës, ku në fokus janë e ardhmja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe pretendimet për presion politik gjatë qëndrimit të tij në burg.



