Kallëzim penal ndaj ALTA Bankës në Serbi, hetohen dyshimet për 50 milionë euro drejt Moskës
Banka Kombëtare e Serbisë ka bërë kallëzim penal kundër ALTA Bankës dhe personave përgjegjës të saj. Prokuroria heton nëse janë kryer transferime të paligjshme jashtë vendit.
Banka Kombëtare e Serbisë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës dhe disa personave përgjegjës të saj. Banka është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet se ka lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Më 27 tetor, Prokuroria kërkoi të dhëna për të gjitha transaksionet e bankës drejt vendeve të huaja. Dy ditë më pas, kërkesa u zgjerua që të përfshinte konvertimin e valutave dhe daljen e fondeve nga llogaritë. Më 30 tetor, Prokuroria iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar, duke kërkuar verifikimin e aktivitetit të bankës dhe të personave përgjegjës në Bankën Qendrore.
Sipas mediumit serb “Vreme”, avokati Ivan Niniq kishte ngritur më herët shqetësime për një proces të përshpejtuar të daljes së kapitalit jashtë Serbisë, drejt llogarive e subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup. Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviq, pretendoi se ishte përgatitur transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka drejt një institucioni financiar jashtë vendit.
Opozita maqedonase kërkoi sqarime nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke dyshuar se vendi mund të përdorej si pikë tranziti për paratë drejt Moskës. Nga ana tjetër, Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar se pretendimet e pakonfirmuara për transferime të dyshimta mund të shkaktonin shqetësim të pajustifikuar te publiku. Deri tani, destinacioni përfundimtar i 50 milionë eurove nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pas revokimit të licencës, procedurat e falimentimit do t’i administrojë Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me vendim gjykate. Banka Qendrore garantoi se depozitat e siguruara, deri në 50 mijë euro për çdo depozitues, mund të tërhiqen sipas procedurave përkatëse, ndërsa klientët do të informohen se në cilën bankë do t’i marrin paratë.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare e veprimtarinë e bankës.



