Tiranë Përditësuar në 12:26

E mërkurë, 4 nëntor 2026

Viti I · Nr. 308

Lajme, analiza dhe editoriale

“Faktet përpara, komenti pas tyre: secili në vendin e vet.”

Botim i përditshëm i lajmeve

E mërkurë, 4 nëntor 2026

Politikë

Malaj: Ligji për bastet online rishikohet sërish, licencat mbeten pa konkurrim

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se ligji për bastet sportive online do të rishikohet edhe një herë, ndërsa 10 licencat nuk janë vënë ende në garë.

Person që shikon bastet sportive në telefon

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se ligji për bastet sportive online do të rishikohet sërish, ndonëse është miratuar në shkurt të vitit 2024. Garë për 10 licencat e parashikuara nuk është hapur ende, pavarësisht se aktet nënligjore kanë përfunduar.

Çështja u ngrit në komision nga Igli Cara, i cili foli për informalitetin në tregun e basteve dhe mungesën e të ardhurave për buxhetin. “Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ja faturoni biznesit të ndershëm”, tha ai.

Malaj u shpreh se kuadri ligjor është plotësuar. “Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, deklaroi ministri.

Në shkurt 2024 mazhoranca miratoi rikthimin e basteve sportive vetëm në format online. Ligji parashikon një treg të kufizuar me 10 licenca dhe kërkon identifikimin e pjesëmarrësve me dokumente identiteti. Pikat fizike të basteve janë mbyllur më 1 janar 2019.

Ministri nuk sqaroi nëse rishikimi do të prekë numrin e licencave, kriteret e përzgjedhjes së operatorëve, detyrimet financiare apo vetëm mekanizmat e kontrollit dhe mbrojtjes sociale. Nëse nevojiten amendamente, ato duhet të kalojnë edhe në Kuvend, çka mund ta zgjasë procesin. Ministria e Financave nuk ka përcaktuar ende datë për fillimin e operimit.

Ndërkohë, aktiviteti i basteve vazhdon jashtë sistemit të licencimit, ndërsa shteti nuk arkëton të ardhura nga operatorë të ligjshëm.

Më shumë nga Kulisat