Tiranë Përditësuar në 12:11

E martë, 3 nëntor 2026

Viti I · Nr. 307

Lajme, analiza dhe editoriale

“Faktet përpara, komenti pas tyre: secili në vendin e vet.”

Botim i përditshëm i lajmeve

E martë, 3 nëntor 2026

Politikë

Rama e Veliaj, përplasja që sipas Andi Bushatit zbulon natyrën e pushtetit

Në një shkrim opinioni, Andi Bushati vlerëson se konflikti mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt nuk është thjesht personal, por pasqyron mënyrën si funksionon pushteti në Shqipëri.

Ppamje e një korridori burgu me qeli

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, shkon përtej rivalitetit politik e personal dhe tregon natyrën e regjimit. Kështu shkruan Andi Bushati në një shkrim opinioni.

Autori kritikon një pjesë të mediave dhe opinionbërësve që flasin për shkelje të të drejtave të Veliajt, pasi i janë kufizuar takimet dhe i është ndërprerë ushqimi nga jashtë. Sipas tij, këta persona nuk shfaqin ndjeshmëri për të rinjtë e qëlluar me plumba apo për protestuesit e sakatuar, ndaj debatin për qelinë e quan të pakuptimtë.

Bushati shkruan se historia ndryshon kur vetë Veliaj e cilëson Ramën si njeriun që qëndron pas burgosjes, kontrollit në qeli, transferimit dhe tentativës për shkarkim. Në këtë pikë, thotë ai, çështja kalon nga e çuditshme në të rëndë. Autori shtron pyetje se si një kryeministër mund të marrë rolin e drejtorit të burgut, të përpiqet të ndërrojë avokatin e një të pandehuri, ta kërcënojë me dënim të gjatë ose t’i dërgojë mesazhe në qeli përmes ministrit të Drejtësisë.

Sipas Bushatit, Rama i ka dërguar Veliajt tri kërkesa: të ndalojë aludimet për rrëzimin e tij, të dorëzojë drejtimin e bashkisë dhe të pranojë se ka nxitur protestat. Autori i quan të treja produkt të një mendësie diktatoriale. Për kërkesën e parë, ai shkruan se heshtja e Veliajt kërkohet për të mos krijuar precedent që do t’i nxiste të tjerët të flasin, dhe e krahason me gjobat që tatimorët u vunë familjarëve të Spiropalit pas kritikës së saj të parë.

Për kërkesën e dytë, Bushati vlerëson se Rama do ta marrë bashkinë për zgjedhjet e 9 majit, duke vënë në shërbim të kandidatit të ri mbi 8600 punonjësit e saj, ndërsa Veliaj, sipas tij, e përdor institucionin si aset në betejën me drejtësinë. Kërkesa e tretë, sipas autorit, lidhet me nevojën për ta paraqitur protestën si të financuar nga një armik i brendshëm, në vend që të pranohet pakënaqësia e një shumice.

Bushati shkruan se Rama është marrë personalisht me zhvendosjen e të paraburgosurit, ushqimin, takimet me bashkëshorten, avokatin dhe fqinjin e qelisë. Ai shton se dëshmitë e fundit tregojnë se Rama ka dhënë dritën jeshile për ndëshkimin e Veliajt. Sipas tij, çështja nuk është shkelja e të drejtave të Veliajt, por fakti që Rama sillet si drejtor i burgut të përbashkët.

Më shumë nga Kulisat