Rreth një e treta e pasurisë së BKT-së mbahet jashtë vendit, mbi 2.2 miliardë euro në Eurozonë e më tej
Vendosjet e Bankës Kombëtare Tregtare jashtë Shqipërisë arrijnë mbi 2.22 miliardë euro, sipas pasqyrave financiare të audituara. Vetëm në tremujorin e tretë të 2026 banka ka dërguar jashtë rreth 103 milionë euro.
Vendosjet e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) jashtë Shqipërisë kanë arritur në mbi 2.22 miliardë euro, sipas të dhënave të pasqyrave financiare të audituara. Kapitali i mbledhur nga kursimet e shqiptarëve po orientohet drejt tregjeve ndërkombëtare, çka e vë në diskutim kontributin e bankës për ekonominë vendase.
Në tremujorin e tretë të vitit 2026, banka ka dërguar jashtë vendit mbi 9.4 miliardë lekë, rreth 103 milionë euro. Prej kësaj shume, 4.25 miliardë lekë u shtuan në depozitat te bankat jorezidente, ndërsa 5.16 miliardë lekë u dhanë hua për institucione financiare të huaja. Lëvizja synon kryesisht përfitimin nga normat e larta të interesit në Eurozonë.
Stoku total prej 2.22 miliardë eurosh përbëhet nga 1.75 miliardë euro në letra me vlerë ndërkombëtare dhe Eurobonde, 267.1 milionë euro në depozita afatshkurtra likuiditeti në banka të huaja dhe 377.5 milionë euro në kredi të dhëna drejtpërdrejt për institucione financiare ndërkombëtare.
Kjo do të thotë se mbi një e treta e pasurisë dhe likuiditetit të bankës nuk qëndron në Shqipëri, ndërsa vetëm 66% e aseteve mbeten për tregun vendas. Likuiditeti që shkon jashtë nuk financon rritjen ekonomike të vendit.
Raportet zyrtare të bankës nuk tregojnë se në cilat shtete janë investuar paratë dhe as çfarë klase risku (credit rating) kanë instrumentet e huaja. Pretendohet se banka ka investuar edhe në aksione apo bonde afrikane dhe të Azerbajxhanit, vende që nuk njihen për siguri të lartë investimesh. Duke qenë banka më e madhe në vend, strategjia e BKT-së sjell kosto për Shqipërinë.



