Shkeljet e shpejtësisë në 14 segmente rrugore do të regjistrohen nga kamerat dhe radarët që nga 1 janari
Nga 1 janari pritet të nisë kontrolli me radarë inteligjentë në 14 segmente rrugore me gjatësi totale afro 200 kilometra, ndërsa Policia po trajnon efektivët që do t'i ndjekin të dhënat nga Qendra e Monitorimit të Trafikut.
Kontrolli i qarkullimit rrugor me radarë inteligjentë pritet të nisë në Shqipëri nga 1 janari. Faza e parë mbulon 14 segmente rrugore me gjatësi totale afro 200 kilometra, ku shkeljet do të evidentohen përmes teknologjisë së re.
Pajisjet janë instaluar para disa muajsh në disa nga rrugët më të frekuentuara, ndërsa tani po bëhen përgatitjet për vënien e tyre në punë. Sipas informacioneve, Policia e Shtetit ka nisur trajnimet për një grup efektivësh që do të ndjekin dhe interpretojnë të dhënat e radarëve nga zyrat e Qendrës së Monitorimit të Trafikut.
Policët do të kenë në dispozicion sisteme inteligjente për të identifikuar shkeljet dhe për të ndjekur në kohë reale lëvizjen e mjeteve. Për këtë detyrë të re pritet edhe një rishikim page, me një nivel që mund të arrijë deri në 1800 euro.
Sistemi parashikon përdorimin e sistemeve kombëtare të mbikëqyrjes tokësore, detare dhe ajrore, së bashku me pajisje stacionare dhe të lëvizshme. Radarët do të regjistrojnë e do të transmetojnë të dhëna për pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e objektivit. Kamerat do të fotografojnë e filmojnë lëvizjen e automjeteve, duke krijuar bazën e të dhënave për shkeljet. Është parashikuar edhe integrimi i kamerave me rreze aktive, i sensorëve dhe i pajisjeve që punojnë me frekuenca radioje.
Akset e përfshira lidhin Tiranën me Durrësin, Elbasanin, Fierin dhe Vlorën, si dhe segmente në zonat e Kavajës, Rrogozhinës dhe Lushnjës. Tirana–Durrës shtrihet mbi 32 km, nga Sheshi Shqiponja te Mbikalimi i Portit, ndërsa Tirana–Elbasan mbi 26.4 km, nga zona e TEG-ut në Bradashesh. Janë përfshirë gjithashtu Durrës–Plazhi i Unazës (5.9 km), Durrës–Kavajë (9.81 km), Unaza e Kavajës (7.89 km) dhe Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë (13.9 km).
Në listë janë edhe Unaza e Lushnjës (4.62 km), Lushnjë–Fier (20 km), Unaza e Fierit (21.5 km) dhe Fier–Vlorë (24 km), nga Levani te rruga Transballkanike. Plotësojnë listën Vorë–Ahmetaq (6.52 km), Qafë-Kashar–Rinas–Ahmetaq (9.59 km) si dhe kryqëzimet e rampat lidhëse, me rreth 5 km.
Me vënien në funksion të radarëve, synohet që kontrolli të mos varet vetëm nga patrullat në terren, por edhe nga teknologjia që regjistron lëvizjen e automjeteve. Këto 200 kilometra do të shërbejnë si fazë fillestare e një sistemi më të gjerë, që synon të përfshijë gradualisht akse të tjera të vendit.



