Tiranë Përditësuar në 12:55

E diel, 1 nëntor 2026

Viti I · Nr. 305

Lajme, analiza dhe editoriale

“Faktet përpara, komenti pas tyre: secili në vendin e vet.”

Botim i përditshëm i lajmeve

E diel, 1 nëntor 2026

Lajme

OSSH Elbasan lidh kontratë 2 milionë euro me bashkimin ku bën pjesë “Myrto Security”, kompania që humbi licencën

Bashkimi "Juer Security" dhe "Myrto Security" fitoi tenderin e OSSH për sigurinë fizike në Elbasan, ndonëse licenca e Myrto Security u hoq pas ngjarjeve në Zvërnec.

Roje sigurie private para një ndërtese administrative

Bashkimi i operatorëve “Juer Security” dhe “Myrto Security” ka fituar një tender me fond limit rreth 2 milionë euro, të shpallur nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan. Myrto Security është kompania të cilës Policia e Shtetit ia hoqi licencën më 1 qershor 2026, pas dhunës ndaj protestuesve në Zvërnec.

OSSH njoftoi pak ditë më parë lidhjen e kontratës për shërbimin e sigurisë për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, njerëzve dhe pronave të OSSH-së në Drejtorinë Rajonale Elbasan dhe të Furnizuesit të Shërbimit Universal në Elbasan. Procedura u shpall në gusht të këtij viti, me fond limit 184.735.036 lekë të reja, ose 1.99 milionë euro sipas kursit të momentit.

Në dokumentet e tenderit, një nga kriteret kryesore të kualifikimit ishte zotërimi i licencës së tipit 1.3 A. Mbi bazën e saj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u jep shoqërive private të sigurisë fizike lejen për të ofruar shërbimin e ruajtjes së pronave, institucioneve, ngjarjeve ose individëve.

Më 30 maj 2026, banorë nga Vlora protestuan kundër shkatërrimit të zonës së Zvërnecit, në kuadër të një projekti turistik ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ata kundërshtonin bllokimin e aksesit drejt bregdetit dhe kishin pretendime mbi pronësinë e truallit ku parashikohet resorti. Përballë tyre, brenda një hapësire të rrethuar me tela, ishin forcat e sigurisë private “Major Security” dhe “Myrto Security”, të kontraktuara nga sipërmarrësi i punimeve.

Momenti kulmor i përplasjes ishte kapja me forcë dhe zvarritja e qytetarit Eduard Subashi për më shumë se 100 metra nga punonjës të kompanive të sigurisë private. Ngjarja nxiti një protestë disamujore, të quajtur “Revolucioni Flamingo”, me referim te shpendët e rrallë që rrezikohen nga projekti.

Një ditë më pas, Policia e Shtetit njoftoi se të dyja kompanive iu hoq licenca, pas hetimeve administrative që konstatuan shkelje. Sipas njoftimit, “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masa për sigurinë e objektit, nuk kishte zbatuar rregullat e hyrjes e daljes së personave dhe mjeteve dhe nuk administronte listën e të lejuarve. Si pasojë, më 30 maj u lejuan të hynin brenda rrethimit persona të paidentifikuar dhe të panjohur për personelin.

Policia thotë se këta persona ndërhynë pa asnjë atribut ligjor, goditën e tërhoqën me forcë një pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe qëlluan kundër protestuesve me gurë e sende të tjera. Punonjësit e “Myrto Security 1.3A” nuk ndërmorën asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre.

Kompania rezulton të ketë marrë pjesë në tenderin e OSSH-së dy muaj pas heqjes së licencës dhe të jetë shpallur fituese, duke deklaruar se disponon licencën 1.3 A.

Më shumë nga Kulisat