Smone: Nuk e njoh kutinë me euro, fotoja më erdhi në telefon pa e ditur
Pastruesja Lavdije Smone, bashkëshorti dhe vajza e saj kanë deklaruar para hetuesve se nuk kanë dijeni për fotografinë me kutinë e kuqe me 50-euroshe, pjesë e dosjes së SPAK për vilën në Dhërmi.
Lavdije Smone, punonjëse pastrimi te Belinda Balluku, bashkëshorti i saj Lavdrim dhe vajza Maresa kanë deklaruar para hetuesve se nuk e kanë parë më parë fotografinë me një kuti të kuqe plot tufa kartëmonedhash 50-euroshe. Imazhi përfshihet në dosjen e SPAK për vilën në Dhërmi, që dyshohet se përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja. Sipas materialeve, deklarimet e tyre nuk ishin bërë publike më parë.
Sipas procesverbalit, fotografia mban datën 17 korrik 2021 dhe është dërguar në WhatsApp në orën 10:06 nga numri i Lavdrim Smones, i ruajtur në telefonin e Lavdijes si “Babi”. Në të shihet një kuti e kuqe me tufa 50-euroshe të lidhura me llastik. SPAK dyshon se është realizuar në vilën F6 të kompleksit “White Rocks” në Dhërmi.
Lavdije Smone ka thënë se nuk e mban mend emrin e kompleksit, por konfirmon se ka shkuar në një vilë në atë zonë për të punuar. Kur iu tregua fotografia, tha se nuk e kishte parë kurrë dhe nuk e dinte që ndodhej në telefonin e saj, të cilin e përdorte edhe e bija. Për faktin që imazhi vinte nga numri i bashkëshortit, tha se nuk di çfarë të shpjegojë. Ajo shtoi se nuk ka parë para në vilë dhe se në familje nuk është folur për para të gjetura aty.
Lavdrim Smone deklaroi se nuk e ka parë imazhin dhe nuk di ta ketë dërguar vetë. “Unë nuk kam parë asnjëherë asnjë lek”, tha ai sipas procesverbalit. Ai pranoi megjithatë se ka bërë fotografi dhe video të ambienteve të vilës për arsye pune, për të provuar se pastrimi ishte kryer dhe se ambientet ishin lënë në rregull. Sipas tij, askush nuk ia kishte kërkuar këtë.
Maresa Smone tha se ka shkuar dy herë në vilë, kur ishte studente, për të ndihmuar nënën me pastrimin, në periudhën 2019-2023. Nuk e mban mend emrin e kompleksit, mobilimin apo vendndodhjen e saktë. Ajo deklaroi se nuk ka parë para dhe se fotografinë e pa për herë të parë gjatë marrjes në pyetje.
Fotografia nuk përbën sekuestrim fizik parash në vilë, por një imazh të gjetur në telefon, të cilin prokuroria e lidh me ambientet e kësaj banese. Ajo nuk përcakton se kujt i përkasin paratë, sa janë apo cila është origjina e tyre. Hetimi për pronësinë e vilës mbështetet edhe në komunikime telefonike të periudhës 2018-2025, të dhëna vendndodhjeje, fotografi dhe biseda mes personave të lidhur me pronën.
Sipas SPAK, vila prej 103 metrash katrorë, me truall prej të paktën 300 metrash katrorë, përdorej nga Balluku, ndonëse në dokumentet e pronësisë figuron në emër të ish-futbollistit Igli Tare. Materialet përmendin edhe biseda të 24 korrikut 2022 mes Maresa Smones dhe motrës së saj, Aida, për udhëtime drejt Dhërmiut dhe punën që lidhej me Ballukun. Vila është sekuestruar me vendim gjykate, ndërsa Tare e ka kundërshtuar, duke pretenduar se prona është e tij dhe se përdorimi nga Balluku lidhej me miqësinë mes tyre.
Publikimi i fotografisë vjen në kohën e përplasjes mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, çka ka ngritur dyshime se materialet e dosjes po përdoren si instrument presioni. Deri tani nuk ka prova publike që Veliaj ka organizuar publikimin ose ka udhëzuar ndonjë medium ta përdorë kundër Ballukut dhe Ramës.


