Tiranë, i maskuar dhe me armë zjarri sulmon filialin e Raiffeisen pranë Komunës së Parisit
Një person i maskuar dhe i armatosur grabiti të hënën në mëngjes një filial të Raiffeisen Bank në Tiranë. Policia ka identifikuar të dyshuarin dhe po punon për ta arrestuar.
Një filial i Raiffeisen Bank në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë u grabit gjatë mëngjesit të së hënës. Forcat e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet për të kapur autorin.
Sipas informacioneve paraprake, një person me maskë dhe i armatosur hyri në bankë dhe i kërcënoi punonjësit me armë zjarri. Ai arriti të marrë një shumë parash dhe më pas largohet në një drejtim që nuk dihet.
Pas ngjarjes janë shpërndarë pamje nga zona, ku duken policët përreth godinës së filialit. Aty janë kryer veprimet e para hetimore.
Po sipas informacioneve paraprake, policia ka identifikuar personin e dyshuar për grabitjen dhe po punon për ta gjetur e arrestuar.
Deri tani nuk ka njoftim zyrtar për shumën e marrë dhe nuk është e qartë nëse ka pasur të lënduar gjatë incidentit. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të sqaruar rrethanat.



