Kompani me lidhje në Qipro e Izrael dyshohet se ngriti platforma të rreme për grupe kriminale
Në një operacion ndërkombëtar me mbështetjen e Eurojust dhe Europol u arrestuan shtatë persona në Kosovë, të dyshuar për mashtrime me investime online. Dëmet llogariten në mbi 4 milionë euro.
Një kompani me lidhje në Qipro dhe Izrael dyshohet se u ofronte grupeve kriminale shërbime të gatshme për ngritjen e platformave të rreme të investimeve. Kjo është një nga gjetjet e një operacioni ndërkombëtar, ku shtatë persona janë arrestuar në Kosovë dhe ndaj tyre është kërkuar ekstradimi drejt Gjermanisë.
Aksioni u koordinua nga autoritetet ligjzbatuese me mbështetjen e Eurojust dhe Europol. Sipas të dhënave të bëra publike nga Eurojust, grupi dyshohet se ka mashtruar qytetarë përmes skemave të investimeve në internet, me dëme që llogariten në mbi 4 milionë euro.
Në fazën e fundit u kryen kontrolle në 17 ambiente dhe u sekuestruan mbi 100 serverë. Dyshohet se ato kanë shërbyer për funksionimin e infrastrukturës teknologjike të rrjetit.
Skema funksiononte sipas modelit “Crime-as-a-Service” (krimi si shërbim). Në këtë model, subjekte të specializuara u vënë në dispozicion grupeve kriminale teknologjinë, faqet e internetit dhe mjetet e nevojshme për veprimtari të paligjshme.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe shtrirjen gjeografike. Dyshohet se klientë të kompanisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë përdorur qendra telefonike (Call Center) për të kontaktuar viktimat dhe për t’i orientuar drejt platformave të rreme. Përmes tyre, qytetarët bindeshin të investonin para, me përshtypjen se përfitonin nga mundësi reale financiare.
Autoritetet e Kosovës konfirmuan se aksioni u zhvillua në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Deri tani nuk janë publikuar të gjitha detajet për identitetin e të arrestuarve dhe për subjektet e kontrolluara në territorin kosovar. Hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën e funksionimit të rrjetit, përmasat e aktivitetit dhe rolin e personave e kompanive të përfshira.



