Veliaj bën publike mesazhet për Gogun: “Nuk e delegoj më Bashkinë”, Rama fajësohet për izolimin
Erion Veliaj ka bërë publike përgjigjet që thotë se ia ka dhënë ministrit Toni Gogu në burgun e Fierit, ku akuzon Edi Ramën dhe refuzon të delegojë sërish drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë publike përgjigjet që thotë se ia ka dhënë ministrit Toni Gogu gjatë një bisede në burgun e Fierit. Në to ai akuzon kryeministrin Edi Rama, kundërshton kushtet e izolimit dhe ngre pretendime për ndërhyrje në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Veliaj e quan transferimin nga burgu i Tiranës në atë të Fierit një përpjekje për ta larguar nga familja dhe për ta vënë nën presion. Gogun nuk e konsideron autor të vendimit, por përcjellës të një mesazhi, ndërsa përgjegjësinë politike ia vendos Ramës.
Ai pretendon se kryeministri po përpiqet ta frikësojë përmes izolimit. “Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet, nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.”, shkruan Veliaj.
Veliaj ngre gjithashtu pretendime për komunikime mes kryeministrit dhe prokurorëve lidhur me akuzat ndaj tij dhe dënimin e mundshëm. Atë që e përshkruan si negociim për numrin e akuzave dhe për vitet e burgut e quan të papranueshme.
Ai mohon se ka organizuar apo financuar protestat e studentëve dhe lëvizjen e quajtur “Flamingot”. “Unë nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve. Këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandisur shteti, gjeti armikun e brendshëm”, shprehet ai. Veliaj kundërshton edhe dyshimet se mund të ketë nxitur përmbysjen e rendit kushtetues nga burgu dhe i quan absurde akuzat që thotë se i janë komunikuar. Ai thekson se i qëndron postimeve të tij për UÇK-në, Hashim Thaçin dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Për Bashkinë e Tiranës, Veliaj deklaron se nuk do ta delegojë më drejtimin, duke iu referuar periudhës 18-mujore kur, sipas tij, nuk e ushtroi vetë këtë funksion. Pretendon se në atë kohë nuk u bënë investime të rëndësishme dhe u bllokuan projekte, përfshirë shkolla, kredi të buta dhe financime ndërkombëtare. Pas rikthimit, thotë se u zhbllokuan gjashtë shkolla dhe u dhanë mbi 1500 kredi të buta.
Sipas tij, mandati i buron nga vota e qytetarëve, rreth 160 mijë vota, dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai kritikon emërimet në administratën bashkiake, vlerëson pozitivisht Etlevën, Sadin dhe Sarën, ndërsa për Arbrin thotë se nuk e sheh si person me probleme, por nuk do t’ia delegojë më drejtimin e bashkisë.
Në pjesën e fundit, Veliaj flet për përgjigjet drejtuar personit që e identifikon si Plaro. Ai pretendon se për rreth 20 muaj nuk i është lejuar të ketë këshilltarë të tjerë dhe vë në pikëpyetje rolin e kryeministrit në vendimet për qelitë, takimet dhe vizitat mjekësore. Thotë se takimi zgjati deri në mesnatë, se mori dy libra dhe se u kthye në qeli me paterica. Ai shton se i ka përcjellë urimet, por ka refuzuar çdo propozim që e konsideron përfshirje në afera të paligjshme.



