Nga Maqedonia e Veriut te zyra e Ramës: kush është Vlerë Gjakova, e ngarkuar me strategjinë e medias
Vlerë Gjakova, e lindur në Maqedoninë e Veriut dhe dikur kandidate e Vetëvendosjes në Kosovë, ka marrë detyrën e këshilltares për median pranë kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka një këshilltare të re për çështjet e medias: Vlerë Gjakova, që në profilin e saj në LinkedIn e përshkruan veten si “stratege për çështjet e medias”. Emrin e saj e kanë bërë të ditur burime qeveritare, sipas të cilave ajo e ka marrë zyrtarisht detyrën para dy javësh.
Gjakova është lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka jetuar gjatë në Kosovë. Tetë vite më parë iu bashkua Vetëvendosjes së Albin Kurtit, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete nën siglën e kësaj force politike. Këtë fakt e ka publikuar vetë në rrjetet sociale. Në të shkuarën ka komentuar zhvillime politike në Kosovë dhe në Shqipëri dhe ka qenë pjesë e rubrikës “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell” në Top Channel, të moderuar nga Edi Manushi.
Top Channel ka parë një e-mail të dërguar nga Vilma Guri, shefe e kabinetit në kryeministri, drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Aty njoftohet roli i Gjakovës dhe kërkohet që këshilltarët e medias të çdo ministrie të zhvillojnë takime me të, për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.
Në LinkedIn ajo e përshkruan veten si stratege komunikimi, eksperte për energjinë e rinovueshme dhe publiciste me 18 vite përvojë në strategji medie dhe marrëdhënie me publikun. Sipas burimeve të hapura, ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë nga Qendra Kërkimore për Filozofinë Greke dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike nga Universiteti Aristotel i Selanikut. Studimet bachelor i ka kryer në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media, përfshirë studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.
Më parë ka punuar si strategjiste komunikimi dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus te qytetet e zgjuara e të gjelbra dhe ekosistemet digjitale. Ka qenë zëdhënëse dhe përfaqësuese për PR e EVN Maqedoni. Përvoja e saj përfshin punën me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Ajo është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut e ato civile, feministe dhe publiciste, dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.



